Ajër më i pastër për shëndet më të sigurt!

Cilësia e mirë e ajrit është kërkesë për ruajtjen e ekuilibrit të shëndoshë të jetës në tokë për njerëzit, bimët, kafshët dhe burimet natyrore.

Informimi në kohë reale për ndotjen e ajrit në Kosovë

Hyrje

IKSHP është institucion i shëndetit publik që si detyrë ligjore ka dhënien e këshillave për qeverinë dhe popullatën  lidhur me shëndetin publik. Funksionet e IKSHP-së përfshijnë [1]:

IKSHP kryen hulumtime rreth  faktorëve mjedisorë që dëmtojnë shëndetin publik dhe propozon masa mbrojtëse për parandalimin e  dëmeve të tilla.
IKSHP propozon dhe ndërmerr veprime profesionale, si dhe i jep rekomandime institucioneve kompetente se si të eliminohen efektet e dëmshme në shëndetin publik.
IKSHP informon popullatën lidhur me shkaqet e ndotjes së mjedisit, të cilat mund të kërcënojnë shëndetin e tyre.
IKSHP elaboron sistemin e raportimit të shëndetit mjedisor lidhur me ndotjen e mjedisit.
IKSHP është qendër referimi për programet,  mbikëqyrjen, vlerësimin, informimin dhe komunikimin e politikave të edukimit shëndetësor.
Ky proces analitik kërkon si të kuptuarit e fenomeneve të ndotjes së ajrit, ashtu edhe mënyrën se si ndërveprojnë këto kushte me shëndetin, sidomos tek personat e ndjeshëm. Të kuptuarit e këtij problemi do të bëj të mundur dërgimin e hershëm të paralajmërimeve, dhe të jepen shpjegime për publikun e gjerë, OJQ-të dhe mediat. Në thelb, përdorimi i mesazheve/paralajmërimeve/indikatorëve të cilësisë së ajrit në esencë është një program për reduktimin e ekspozimit, që është prioriteti i parë i çdo qeverie që merret me ndotjen e ajrit.

[1] Ligji Nr. 02/L-78 për Shëndetësi Publike

Lexoni më shumë

Çfarë është cilësia e ajrit?

Ajri është një përzierje e azotit (78%), oksigjenit (21%), dioksidit të karbonit (CO2) dhe disa gazeve inerte. Ajri gjithashtu përbëhet prej avullit të ujit, në sasira të ndryshme.

Cilësia e ajrit ka të bëjë me atë se sa i shëndetshëm është ajri që ne thithim. Ajri i pastër konsiderohet të jetë kërkesë themelore e shëndetit dhe mirëqenies së njeriut. Megjithatë, ndotja e ajrit vazhdon të përbëjë kërcënim të konsiderueshëm për shëndetin anembanë botës.

Cilësia e ajrit i referohet gjendjes së ajrit brenda mjedisit tonë rrethues. Cilësia e mirë e ajrit ka të bëjë me shkallën në të cilën ajri është i pastër, i kthjellët dhe pa ndotës, siç janë tymi, pluhuri dhe smogu mes papastërtive të tjera të gazta në ajër. Cilësia e ajrit përcaktohet duke vlerësuar një sërë treguesish të ndotjes. Cilësia e mirë e ajrit është kërkesë për ruajtjen e ekuilibrit të qëndrueshëm të jetës në tokë për njerëzit, bimët, kafshët dhe burimet natyrore.

Cilësia e ajrit varet gjithashtu nga afërsia me burimin dhe lartësinë ku lirohen ndotësit; me kushtet meteorologjike, duke përfshirë erën dhe nxehtësinë; me transformimet kimike (reaksionet ndaj dritës së diellit, ndërveprimet ndotëse).

Lexoni më shumë

Çfarë është ndotja e ajrit?

Ajri i pastër është një përzierje e azotit (78%), oksigjenit (21%), dioksidit të karbonit (CO2), argonit, avullit të ujit dhe disa gazeve të tjera inerte.

Ajri i pastër është një përzierje e azotit (78%), oksigjenit (21%), dioksidit të karbonit (CO2), argonit, avullit të ujit dhe gazeve të tjera inerte. Ndotja e ajrit i referohet lirimit të substancave në atmosferë të cilat janë të dëmshme për njerëzit, organizmat e gjallë ose bimët, dhe të cilat i shkaktojnë dëme klimës, materialeve dhe ndërtesave. Ndotja e ajrit përbëhet prej kimikateve ose grimcave siç janë gazrat, grimcat e ngurta ose pikëza e lëngëta. Ndotja primare e ajrit shkaktohet prej emetimeve nga sistemet ngrohëse te objekteve të banimit ose nga ato komunale, nga fabrikat, veturat, burimet e mëdha të djegies siç janë termocentralet, nga sektori i bujqësisë ose burimet natyrore siç janë vullkanet. Ndotja e ajrit është më e zakonshme në qytete të mëdha ku grumbullohen emetime nga shumë burime të ndryshme.

Materiet grimcore (PM) janë një tregues të zakonshëm të matjes së ndotjes së ajrit. Këta  ndotës ndikojnë tek njerëzit më shumë se çdo ndotës tjetër. Komponentët kryesorë të PM janë sulfatet, nitratet, amoniaku, kloruri i natriumit, karboni i zi, bloza, pluhuri mineral dhe uji. Ato përbëhen nga një përzierje komplekse e materieve grimcore dhe të lëngshme të substancave organike dhe inorganike të shpërndara në ajër. Ekziston një lidhje e ngushtë sasiore ndërmjet ekspozimit ndaj përqendrimeve të larta të materieve grimcore (PM10 dhe PM2.5) dhe rritjes së vdekshmërisë ose sëmundshmërisë, si ditore ashtu edhe me kalimin e kohës. Gjersa grimcat me diametër prej 10 mikronë ose më pak, (≤ PM10) mund të depërtojnë dhe të futen thellë brenda mushkërive, prapëseprapë grimcat më shumë të dëmshme për shëndetin janë ato me diametër prej 2.5 mikronë ose më pak (≤ PM2.5). Grimcat PM2.5 mund të depërtojnë nëpër barrierën e mushkërive dhe të hyjnë në sistemin e gjakut. Ekspozimi kronik ndaj grimcave kontribuon në rrezikun e plakjes së përshpejtuar të mushkërive, në humbjen e kapacitetit të mushkërive, në uljen e funksionimit të tyre, si dhe në zhvillimin e sëmundjeve si astma, emfizema, bronhiti, kanceri i mushkërive, dëmtimi i trurit, si dhe sëmundja ishemike e zemrës (SIZ) dhe goditjet në tru si shkaqet kryesore të vdekjes. Simptomat si kollitja, gëlbazi, fishkëllimat, shtrëngimi në gjoks, dhimbja e gjoksit, palpitacionet, gulçimi dhe lodhja e pazakontë janë simptomat më të zakonshme tek njerëzit e prekur nga ndotja e ajrit prej këtyre grimcave.

Dioksidi i sulfurit (SO2) është një gaz toksik, pa ngjyrë, me erë të keqe, dhe formohet nga djegia e karburanteve që përmbajnë sulfur, siç është qymyri dhe nafta. SO2 formohet gjatë proceseve të ndryshme industriale dhe energjetike të djegies. Ky gaz mund të shkaktojë probleme në frymëmarrje si bronkit, irritim i hundës, fytit dhe mushkërive. Mund të shkaktojë kollitje, fishkëllima, gëlbazë dhe sulme astmatike. Efektet janë edhe më të rënda kur bëni ushtrime. Dioksidi i sulfurit lidhet edhe me sëmundjet kardiovaskulare.

Dioksidi i azotit (NO2) është burimi kryesor i aerosoleve të nitrateve të cilat përbëjnë një fraksion të rëndësishëm të PM2.5 dhe të ozonit nëprani të rrezeve ultraviolete. Burimet kryesore të emetimeve antropogjene të NO2 janë proceset e djegies (ngrohja, gjenerimi i energjisë dhe motorët e automjeteve dhe anijeve). NO2 është gaz toksik, i cili shkakton inflamacion të konsiderueshëm të rrugëve të frymëmarrjes. Studimet epidemiologjike kanë treguar se simptomat e bronkitit tek fëmijët astmatikë rriten kur ndërlidhen me ekspozimin afatgjatë ndaj NO2. Zvogëlimi i funksionimit të mushkërive poashtu lidhet me NO2 në përqendrimet aktualisht të matura (ose të vëzhguara) në qytetet e Evropës dhe Amerikës së Veriut2.

Ozoni (O3) në shtresën e tokës – për të mos u ngatërruar me shtresën e ozonit në atmosferë – është një nga përbërësit kryesorë të smogut fotokimik.Ai formohet nga reaksioni i rrezeve të diellit (reaksion fotokimik) me ndotës si oksidet e azotit (NOx) nga emetimet e automjeteve dhe industrisë, si dhe Bashkëdyzimet Organike të Avullueshme(BOA) të emetuara nga automjetet, tretësit dhe industria.Si rezultat i kësaj, nivelet më të larta të ndotjes nga ozoni ndodhin gjatë periudhave të motit me diell. Sasia e tepërt e Ozonit në ajër mund të ketë ndikim të dukshëm në shëndetin e njeriut. Mund të shkaktojë probleme me frymëmarrje, shkakton astmën, zvogëlon funksionimin e mushkërive dhe shkakton sëmundjen e mushkërive [2].

BOA janë komponime të gazta të emetuara nga industria, automjetet rrugore, ngrohjet e ekonomive familjare dhe gjenerimi i energjisë. BOA-të përfshijnë një shumëllojshmëri kimikatesh që mund të shkaktojnë irritim të syve, hundës dhe fytit, gulçim, dhimbje koke, lodhje, ndjesi të të vjellit, marramendje dhe probleme të lëkurës. Përqendrimet e larta mund të shkaktojnë ngacmim të mushkërive, si dhe dëmtim të mëlçisë, veshkave ose sistemit nervor qendror2.

[2] OBSH, Tema shëndetësore, Ndotja e ajrit të mjedisit (ambientit të hapur), Fletëfakte, 2 maj 2018. https://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/ambient-(outdoor)-air-quality-and-health) (e qasshme nga 28 tetor 2020).

Lexoni më shumë

Portali i Cilësisë së Ajrit

Informimi për cilësinë e ajrit është pjesë thelbësore  e procesit të këshillimeve shëndetësore.

Portali i Cilësisë së Ajrit (PCA) i Kosovës është shërbim publik që ofron informata gati se në kohë reale dhe historike të cilësisë së ajrit, si dhe një parashikim 3-ditor të cilësisë së parashikuar të ajrit:sot, nesër dhe pasnesër. Informatat e vizualizuara në harta të mundësuara nga Terria Map dhe të mbajtura nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) janë zhvilluar nga NIRAS dhe ATMOTERM, në konsultim me palët e interesuara si Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës (FMK).

Një nga qëllimet kryesore të PCA-së është të sigurojë përgjigje për qytetarët: cili është niveli i ndotjes dhe si të zvogëlohet ndikimi i ndotjes në shëndetin e qytetarit. Informatat në lidhje me ndotjen e ajrit përbëhet nga dy elemente: cilësia aktuale e ajrit bazuar në matjet e bëra në 12 stacione zyrtare të monitorimit të Kosovës dhe parashikimi i cilësisë së ajrit bazuar në modelimin matematikor.

Matjet e paraqitura në hartën kryesore të PCA-së paraqesin përqendrimet aktuale të këtyre ndotësve në ajër: PM10, PM2.5, NO2, SO2, CO, NO, O3 dhe kushtet themelore të motit në vendndodhjen e stacioneve të monitorimit. Ky informacion llogaritet në Indeksin e Cilësisë së Ajrit (ICA) sipas metodologjisë së Bashkimit Evropian. ICA pasqyron ndikimin e mundshëm të cilësisë së ajrit në shëndet, i nxitur nga ndotësi përqendrimet e të cilit janë më të larta për shkak të ndikimeve shoqëruese në shëndet. Duke klikuar në stacionet e monitorimit, do të shfaqen informata mbi ICA-në, këshillat shëndetësore si dhe përqendrimet e ndotësve. Shënuesit janë të koduar me ngjyra për të pasqyruar nivelin e ICA-së që i mundëson përdoruesit të informohet shpejt për nivelin e ndotjes së ajrit.

Matja, sado e saktë, ofron informacione vetëm në lokacionin e një stacioni të ceçantë të monitorimit të cilësisë së ajrit. Zbatimi i modelimit matematikor të cilësisë së ajrit mundëson llogaritjen e cilësisë së ajrit anembanë Kosovës dhe gjithashtu llogaritjen e parashikimit të cilësisë së ajrit. Parashikime të tilla bazohen në parashikimin e motit dhe modelet e shpërndarjes së ndotjes së ajrit në atmosferë. PCA përfshin parashikime të katër ndotësve: PM10, PM2.5, NO2 dhe O3. PCA përdor modelin Calpuff  për nivelin rajonal dhe urban, dhe Shërbimin e Monitorimit të Atmosferës – Copernicus (CAMS – modele evropiane për cilësinë e ajrit) për kushtet kufitare dhe modelimin e ozonit. Për llogaritjet e parashikimit të motit përdoret Modeli i Hulumtimit dhe Parashikimit të Motit  (MHPM – modeli i prognozës meteorologjike). Parashikimet mund të aktivizohen përmes funksionit të Menysë në PCA. Ato janë në dispozicion në dy nivele: për tërë Kosovën dhe për Prishtinën me modelim më të detajuar dhe harta me rezolucion më të lartë. Parashikimet japin një vlerësim të asaj se si do të jetë cilësia e ajrit në orët dhe ditët e ardhshme në një vend të përzgjedhur, dhe tregojnë aktivitetet e lejuara në mënyrë që të bëhet planifikimi për të zvogëluar ekspozimin ndaj niveleve të larta të ndotjes (ICA e dobët).

Funksionalitetet e PCA-së janë përgatitur edhe në formën e një aplikacioni për  telefona të mençur, që e bën marrjen e informacioneve për cilësinë e ajrit shumë më të lehtë.

Aplikacioni për telefona të mençur ofron një zgjidhje të lehtë për t’u përdorur në platformat iOS dhe Android për të vizualizuar të dhënat e cilësisë së ajrit në një format të thjeshtë grafik. Shpërndarja e informacioneve përmes aplikacionit për telefona të mençur është mënyra më efektive për të informuar qytetarët se “çfarë cilësie ka ajri sot dhe në dy ditët në vijim?” dhe çfarë duhet bërënë rast të niveleve të larta të ndotjes. Aplikacioni përfshin informata si efektet shëndetësore për çdo nivel të ndotjes dhe veprime të rekomanduara me këshilla specifike për popullatat e ndjeshme dhe të cenueshme. Ai gjithashtu siguron vlera të parametrave të motit.

Funksionalitetet kryesore të aplikacionit për telefona të mençur janë:

  • Vizualizimi i Indeksit aktual të CA-së, përqendrimet e ndotësve, vlerat e parametrave të motit dhe rekomandimet shëndetësore për pikat e përzgjedhura në Kosovë dhe për stacionet e monitorimit të CA-së.
  • Të gjitha të dhënat vizualizohen për orë dhe për parashikime 3-ditore.
  • Shfaqja e një harte të Kosovës me stacione të shënuara monitorimi dhe dritare pop-up me informata të detajuara në lidhje me stacionin e zgjedhur.
  • Ruajtja e vendeve të preferuara në opsionin ‘Vendet e mia (My places)’.
  • Shtimi në opsionin ’Vendet e mia’ sipas adresës, duke zgjedhur nga lista e stacionit të monitorimit, ose duke klikuar në hartë dhe sipas vendndodhjes aktuale në GPS.
  • Shfaqja e një liste të të gjithë stacioneve të monitorimit me parametrat dhe detajet e stacionit.

 

PCA mund të përdoret edhe nga specialistët, shkencëtarët, institucionet qeveritare ose universitetet. Pjesa e të dhënave e PCA-së ofron raporte në excel dhe grafikë të cilët mund të jenë shumë të dobishëm për analiza më specifike të cilësisë së ajrit.

Për më shumë informata lidhur me cilësinë e ajrit dhe Indeksin e Cilësisë së Ajrit në Kosovë, vizitoni http://ihmk-rks.net/?page=1,5 ose vizitoni https://www.facebook.com/ihmk.rks/

Matjet e cilësisë së ajrit nga IHMK përdoren në faqen e internetit të cilësisë së ajrit të ZEE-së:
https://airindex.eea.europa.eu/Map/AQI/Viewer/

Duhet të theksohet se disa nga faqet e internetit të cilësisë së ajrit që janë në dispozicion përdorin indekse të ndryshme të cilësisë së ajrit (për shembull, bazuar në metodologjinë e EPA-së të SHBA-ve).Prandaj, vlerat e Indeksit të Cilësisë së Ajrit dhe rekomandimet shëndetësore mund të ndryshojnë nga ato të paraqitura në PCA (e cila përdor metodologjinë evropiane).

Lexoni më shumë

Inventari i emisioneve të ndotësve në ajër dhe modelimi i emisionevenë ajër në Kosovë

Inventari i emisioneve dhe modelimi i cilësisë së ajrit janë pjesë shumë e rëndësishme të procesit të menaxhimit të cilësisë së ajrit. Inventari i parë kombëtar i emisioneve në ajër i një niveli të tillë të detajuar dhe modeli i parë kombëtar i cilësisë së ajrit është përgatitur si pjesë e projektit të financuar nga KSM “Furnizimi i Menaxhimit të Projektit, Menaxhimit të Informacioneve për Cilësinë e Ajrit, Ndryshimin e Sjelljes dhe Shërbimet e Komunikimit”.

Inventari i emisioneve në ajër është përgatitur për tërë Kosovën. Puna është bërë në bashkëpunim me AMMK-në dhe me përdorimin e inputeve nga një projekt i Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA). Viti 2018 ka qenë viti i fillimit të zhvillimit të bazës së të dhënave të emisioneve, për të cilin vit të dhënat (të dhënat e matjeve, të dhëna statistikore dhe të tjera) janë më së shumti në dispozicion). Inventari i emisioneve përfshinte këta ndotës: PM10, PM2.5, oksidet e azotit (NOx), dioksidin e sulfurit (SO2), monoksidin e karbonit (CO), Bashkëdyzimet Organike të Avullueshme jo metan (BOAJM), arsenin, kadmiumin, merkurin dhe plumbin.

Inventari i emisioneve përfshin këto burimet e emetimit:

  • Djegia e vogël –pjesa më e madhe e emetimeve në sektorin e djegies së vogël vjen nga ngrohjet e objekteve të banimit. Këtu përfshihet edhe transporti – emetimet nga trafiku, duke marë parasysh rrugët nacionale, rajonale, të qarkut dhe ato komunale, emetimet nga gomat e automjeteve dhe kosumimi i frenave, shtjerrja e sipërfaqes së rrugës dhe ripezullimi i materieve grimcore (PM).
  • Industria (burimet e pikave dhe zonave) –përfshin emetimet nga instalimet e PKIN-së (me leje mjedisore të integruara ose duke aplikuar për PKIN), deponitë dhe guroret.
  • Bujqësia (kulturat dhe mbarështimi) – emetimet ng bujqësia, zonat që kultivohen, blegtoria dhe përdorimi i plehrave dhe makinerive bujqësore.

Sa i përket emetimeve totale nga të gjitha burimet (djegia e vogël, transporti, industria, bujqësia) – djegia e vogël ka një pjesëmarrje prej 69% (PM10) dhe 84% (PM2.5) në emetimet totale të PM-së, transporti (rrugët) 12% dhe 7%, industria (industria dhe guroret) 17% dhe 8%, ndërsa bujqësia 3% dhe 1% përkatësisht. Pjesëmarrja e emetimeve nga sektorë të ndryshëm dallon në rastin e NO2: djegia e vogël – 5%, transporti (rrugët) – 32%, industria – 56% dhe bujqësia – 9%.

Kontributet e sektorëve në emetimin e NO2 dhe PM2.5 janë paraqitur në grafikonët e mëposhtëm.

Figura 1: Pjesëmarrja e sektorëve individual në emetimet e PM2.5 dhe NO2

Bazat e të dhënave të emetimeve janë përgatitur në fajla të formatit Excel. Struktura e bazës së të dhënave është paraqitur në Figurën 2.

Figura 2:  Struktura e bazës së të dhënave të emetimeve

Inventari i emisioneve të ndotësve të ajrit është një nga burimet më të rëndësishme të inputit për modelimin e cilësisë së ajrit dhe parashikimin e cilësisë së ajrit të paraqitur në PCA.

Modelimi i cilësisë së ajrit ofron informata mbi shpërndarjen hapësinore të ndotjes së ajrit (ku ndotja e ajrit është më e keqja ose më e mira), tregon zonën me tejkalime standarde të cilësisë së ajrit dhe jep informata se cilat burime të emetimit janë përgjegjëse për nivelet e larta të ndotjes.  Modelimi i cilësisë së ajrit për vitin 2018 mbështet sistemin e monitorimit të cilësisë së ajrit me shpërndarjen hapësinore të ndotjes në një zonë të vendit (jo vetëm në pikat e matjeve). Rezultatet e modelimit kanë konfirmuar se problemi më i madh janë materiet grimcore (PM10 dhe PM2.5) në zonat urbane.

Sipas rezultateve të modelimit, ka shumë zona të ndotura me PM10 dhe PM2.5 në Kosovë ku përqendrimet e PM-së janë mbi vlerat kufitare (shih Figurën 2). Në përgjithësi, zonat me përqendrime të larta të ndotësve PM10 dhe PM2.5 mbimbulohen me vendndodhjen e burimeve kryesore të emetimeve, siç janë qytetet e mëdha dhe rrugët kryesore. Rajonet me ndotje shumë të lartë të PM-së (që tejkalojnë standardet kombëtare) janë: rajoni i Prishtinës, Prizrenit, Mitrovicës, Gjilanit, Gjakovës dhe Ferizajt. Tejkalimet parashikohen edhe në qytete më të vogla.

Djegia e vogël (ngrohja e objekteve të banimit) ka kontributin më të madh në përqendrimet vjetore të ndotjes nga PM10 dhe PM2.5 në shumicën e zonave urbane. Përqindja mesatare e sektorit të djegies së vogël në përqendrimin e PM10 është rreth 50% (PM10) dhe 57% (PM2.5).Ngrohja e objekteve të banimit kontribuon në përqendrimet e PM10 dhe PM2.5 në nivelin 56% dhe 58% në Prishtinë.

Tejkalimet e përqendrimeve vjetore të NO2 janë të vogla dhe të koncentruara në disa qytete si: Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Ferizaj, Gjilani, Prizreni dhe të tjerët. Tejkalime janë vërejtur edhe përgjatë rrugëve kryesore, posaçërisht autostradave dhe rrugës rajonale nga Ferizaj përmes Prishtinës në Mitrovicë. Nuk ka tejkalime të parashikuara të përqendrimeve për orë të NO2 në territorin e Kosovës.

Në rastin e NO2, transporti kontribuon më së shumti në përqendrimin vjetor për pjesën më të madhe të zonave urbane. Kontributi mesatar i sektorit të transportit në përqendrimet e NO2 është rreth 57% në nivel vendi dhe 61% në Prishtinë.

Nuk ka tejkalime të parashikuara të kufijve të SO2për orë dhe ditë.

Figura 2 paraqet shpërndarjen hapësinore të PM10, PM2.5 dhe NO2 në Kosovë bazuar në modelimin për vitin 2018 (ngjyra e kuqe paraqet përqendrimet mbi vlerat kufitare).

Figura 2: E 36-ta Përqëndrimi më i lartë ditor i PM10 dhe përqendrimi vjetor i PM2.5 dhe NO2 në Kosovë në vitin 2018

Lexoni më shumë

Indeksi i Cilësisë së Ajrit – ICA

-Indeksi i Cilësisë së Ajrit i mundëson përdoruesve të kuptojnë më shumë rreth cilësisë së ajrit në vendin ku jetojnë, punojnë ose udhëtojnë. Duke shfaqur informata të përditësuara për Kosovën, përdoruesit mund të marrin njohuri për cilësinë e ajrit në rajone dhe qytete.

Indeksi bazohet në vlerat e përqendrimit për deri në pesë ndotës kryesorë, duke përfshirë:

  • Materiet grimcore (PM10),
  • grimcat e imëta (PM2.5),
  • ozonin (O3),
  • dioksidin e azotit (NO2),
  • dioksidin e sulfurit (SO2).

Indeksi pasqyron ndikimin e mundshëm të cilësisë së ajrit në shëndet, i shkaktuar nga ndotësi për të cilin përqendrimet janë më të ulëta për shkak të ndikimeve shëndetësore shoqëruese. Vlerat e përqendrimeve për deri në pesë ndotës kryesorë (PM10, PM2.5, SO2, NO2 dhe ozoni) përcaktojnë nivelin e indeksit që pasqyron cilësinë e ajrit në secilin stacion monitorimi. Indeksi korrespondon me nivelin më të ulët për secilin prej pesë ndotësve, sipas tabelës së paraqitur më poshtë. Për qëllime të parashikimit janë përdorur 4 ndotës: ozoni, dioksidi i azotit dhe materiet grimcore (PM10 dhe PM2.5).

Lexoni më shumë

Cilësia e ajrit në Kosovë

Përgjegjësitë institucionale të IHMK-së dhe AMMK-së për Cilësinë e Ajrit në Kosovë

IHMK është institucion kombëtar, shkencor dhe profesional në fushën e meteorologjisë, hidrologjisë, klimës, ajrit, ujit dhe tokës, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, dhe ka për detyrë të zhvillojë aktivitetet si në vijim[3]:

  • Planifikimin, ndërtimin, pajisjen, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemeve kombëtare ose rrjeteve të stacioneve meteorologjike, hidrologjike, të kontrollimit të cilësisë së ajrit dhe të ujit.
  • Matjet dhe monitorimet (vëzhgimet) sistematike të elementeve dhe fenomeneve hidrologjike, meteorologjike përmes sistemit të rrjetit shtetëror të hidrologjisë dhe meteorologjisë, duke përfshirë edhe sistemin e vëzhgimit përmes radarëve, sistemin e monitorimit të ajrit, ujit dhe tokës.
  • Zhvillimin, krijimin dhe funksionimin e sistemeve kompjuterike dhe telekomunikuese për mbledhjen, përpunimin, shkëmbimin dhe shpërndarjen e të dhënave dhe informatave lidhur me gjendjen aktuale dhe parashikimin e motit për klimën dhe hidrologjinë, si dhe të dhënave për cilësinë e ajrit, ujit dhe tokës.
  • IHMK nxjerr njoftime, alarme dhe paralajmërime për katastrofat natyrore dhe katastrofat meteorologjike dhe hidrologjike, dhe për rastet e tejkalimit të normave të ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës në vende të caktuara duke informuar institucionet përkatëse.

Përgjegjësitë institucionale të AMMK-së në lidhje me ndotjen e ajrit janë të përcaktuara në bazë të Ligjit Nr. 03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit:

  • Siguron informacionet e duhura për administratën, Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për zbatimin e politikave për mbrojtjen e mjedisit.
  • Zhvillon dhe koordinon sistemin unik të informimit për mbrojtjen e mjedisit lidhur me sistemin e përcjelljes së gjendjes së mjedisit në Kosovë, si dhe mbledhë të dhëna për mjedisin.
  • Ndihmon organet e administratës në zhvillimin e formave të reja të politikës për mbrojtjen e mjedisit dhe përcjelljen e zbatimit të planeve dhe programeve për mbrojtjen e mjedisit.
  • Paraqet pragjet e Informacionit dhe alarmimit për cilësinë e ajrit. Ministria sigurohet që të informojë publikun me kohë lidhur me tejkalimet aktuale ose të parashikuara të pragjeve të alarmimit ose pragjeve të informacionit [4].

Roli i IKSHP lidhur me shëndetin mjedisor është përshkruar në Seksionin 8.1 të këtij dokumenti.

 

Politika dhe ligji i cilësisë së ajrit në Kosovë

Shumë qytete në Kosovë vuajnë nga cilësia e dobët e ajrit, me përqendrime të grimcave të ngurta (PM) në mjedis të diametrit 2.5 mikronë ose më të imta (PM2.5) që tejkalojnë në masë të konsiderueshme normat standarde kombëtare[5] dhe të Bashkimit Evropian, dhe të udhëzimeve globale të cilësisë së ajrit për PM2.5, të përcaktuara nga OBSH.

Ligji 03/L-160 për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja  është instrumenti më i rëndësishëm ligjor për menaxhimin e cilësisë së ajrit. Përmes këtij përcaktohet korniza për menaxhimin e cilësisë së ajrit, dhe është një dokument bazë ligjor:

  • Udhëzimi Administrativ Nr. 02/2011 për Normat e Cilësisë së Ajrit, e përcakton Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit si autoritetin kompetent për vlerësimin e cilësisë së ajrit, dhe miratimin e metodave dhe kritereve referuese. Ai përcakton vlerat kufitare për ndotësit kryesorë, metodat e menaxhimit të cilësisë së ajrit (krijimi i zonave dhe aglomerateve, prezantimi i Planeve të Cilësisë së Ajrit), si dhe raportimin dhe rregullat e informimit publik.
  • Udhëzimi Administrativ Nr. 15/2010 për Kriteret për Përcaktimin e Pikave Monitoruese për Cilësinë e Ajrit, Numrin dhe Shpeshtinë e Matjeve, Klasifikimin e Ndotësve të cilët Monitorohen, Metodologjinë e Punës, Formën dhe Kohën e Raportimit të të Dhënave[4] përcakton kriteret përcaktuese për zbatimin e sistemit të monitorimit të cilësisë së ajrit.
  • Udhëzimi Administrativ Nr. 21/2013 për Arsenin, Kadmiumin, Merkurin, Nikelin dhe Hidrokarburet Aromatike Policiklike në Ajër[7] përcakton vlerat e synuara për përqendrimin e Arsenit, Kadmiumit, Nikelit dhe Benzo(a) Pirenit, si dhe përcakton kriteret për vlerësimin e cilësisë së ajrit.
  • Udhëzimi Administrativ Nr. 08/2016 për Normat e Lejuara të Shkarkimeve në Ajër nga Burimet e Lëvizshme të Ndotjes[8] përcakton normat e lejuara të shkarkimeve në ajër nga burimet e lëvizshme tokësore – automjetet rrugore, si dhe masat për zbatimin e tyre.

Strategjia e Cilësisë së Ajrit në Kosovë 2013-2022 përcakton një plan veprimi për një periudhë dhjetë-vjeçare, dhe janë planifikuar masat e mëposhtme: Implementimi i legjislacionit ekzistues për ajr; Ulja e emisioneve nga burimet e veçanta; Ulja e emisioneve nga burimet mobile; dhe Ulja e emisioneve të gazeve serrë.[9]

Standardet e ajrit të Kosovës janë në harmoni me Direktivat e Cilësisë së Ajrit të Bashkimit Evropian.

 

Standardet e Cilësisë së Ajrit në Kosovë

Standardet e Cilësisë së Ajrit në Kosovë bazohen në Direktivat e BE-së për cilësinë e ajrit (Direktiva 2008/50/KE mbi Cilësinë e Ajrit të Mjedisit dhe për Ajër më të Pastër për Evropën, dhe Direktiva 2004/107/EC në lidhje me Arsenin, Mërkurin, Nikelin dhe Hidrokarburet Aromatike Policiklike në Ajrin e Mjedisit) dhe përcaktojnë pragjet e përqendrimit të ndotësve që nuk duhet të tejkalohen gjatë një periudhë të caktuar kohore. Standardet më të rëndësishme në Kosovë janë përmbledhur në Tabelën 1. Këto standarde zbatohen për periudha të ndryshme kohore, sepse ndikimet e vëzhguara shëndetësore të lidhura me ndotës të ndryshëm ndodhin gjatë kohërave të ndryshme të ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit. Këtu gjithashtu përfshihet informacionet lidhur me numrin e lejuar të ditëve ose orëve gjatë vitit me përqendrime mbi kufirin e lejuar.

Tabla 1: Standardet e Cilësisë së Ajrit në Kosovë

Standardet e Kosovës për cilësi të ajrit bazuar në Direktivën e BE-së për Cilësinë e Ajrit
Ndotësi Periudha mesatare Objektivi dhe përqendrimi Informata tjera*
PM2.5 Vjetore 25 µg/m3
PM10 Ditore (mesatarja24-orë) 50 µg/m3 Të mos kalojë më shumë se 35 ditë në vit
Vjetore 40 µg/m3
SO2 Në orë 350 µg/m3 Të mos kalojë më shumë se 24 orë për vit
Ditore (mesatarja24-orë) 125 µg/m3 Të mos kalojë më shumë se 3 ditë për vit
NO2 Në orë 200 µg/m3 Të mos kalojë më shumë se 18 orë për vit
Vjetore 40 µg/m3

 

Ndotja e ajrit në Prishtinë si kryeqytet, konkurron me nivelet e ndotjes së qyteteve të mëdhaja si Pekini, Mumbai dhe New Delhi. Sidomos gjatë stinës së dimrit, zonat urbane përballen me episode të mëdha smogu, të shkaktuara nga kërkesa e rritur për ngrohje nga sektori i banimit dhe ai komercial, që përdorin lëndë të ngurta djegëse. Nivele të tilla të ndotjes së ajrit janë të pasigurta për popullsinë prej 1.9 milion banorëve në Kosovë dhe përkeqësojnë në masë të madhe ndikimet në shëndet. Raportet e fundit tregojnë se sektori i banimit është burimi më i madh i eksozimit ndaj grimcave të dëmshme PM2.5, që lidhet me djegien e lëndëve të ngurta djegëse në shtëpi individuale. Për shembull, rezultatet e para të inventarit të emetimit dhe modelimit të cilësisë së ajrit në Kosovë, të kryera si pjesë e projektit të financuar nga KSM “Furnizimi i Menaxhimit të Projektit, Menaxhimit të Informacioneve për Cilësinë e Ajrit, Ndryshimin e Sjelljes dhe Shërbimet e Komunikimit” konfirmojnë rolin kryesor të ngrohjes shtëpiake në ndotjen e lartë të ajrit. Ngrohja shtëpiake shkakton pjesën kryesore të ndotjes–pjesëmarrje me mbi 85% e emetimit total të PM10 dhe PM2.5 në përqendrimet vjetore për shumicën e zonave urbane. Ngrohja shtëpiake kontribuon në përqendrimin e PM10 dhe PM2.5 në nivelin 56% dhe 58% në Prishtinë[10]. Burime shtesë të ekspozimit ndaj PM2.5 përfshijnë energjinë, industrinë, bujqësinë dhe të tjera.

[3] Ligji Nr. 06 / L-035 për Veprimtaritë Hidrometeorologjike.

[4] Udhëzimi Administrativ Nr. 02/2011 për Normat e Cilësisë së Ajrit, Shtojca VIII, dhe Ligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja/Nenet 24 dhe 25.

[5] https://gzk.rks-gov.net/ActsByCategoryInst.aspx?Index=3&InstID=1&CatID=6

[6] https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=7900

[7] https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=10346

[8] https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=15113

[9] Cilësia e Ajrit në Kosovë: Drejt Standardeve Evropiane, Institucioni për Politika Zhvillimore, 2019

[10] DETYRA D3: Modeli dhe rezultatet e modelit – Metodologjia dhe Rezultatet e Modelimit

Lexoni më shumë

Efektet e ndotjes së ajrit në shëndet

Ndotja e ajrit ka ndikime të konsiderueshme në shëndet, mjedis dhe ekonomi. Ndikimi negativ është veçanërisht i dukshëm tek shëndeti i qytetarëve, sidomos tek ata që jetojnë në zona urbane dhe afër zonave ku ka trafik intensiv dhe zonave industriale.

Ndotja e ajrit njihet si një nga kontribuuesit kryesorë të barrës globale mjedisore të sëmundjeve. Çdo vit, mijëra njerëz që vuajnë nga efektet e ndotjes së ajrit shtrihen në spitale, e disa prej tyre edhe vdesin para kohe.

Ndotja e ajrit prek njerëzit çdo ditë, por kërcënim më të madh për shëndetin e njeriut përbën ekspozimi afatgjatë në doza më të ulëta. Ndotja e ajrit mund të ketë efekt negativ në shëndetin tonë, varësisht se sa gjatë qëndrojmë të ekspozuar, varësisht nga gjendja jonë shëndetësore dhe përqendrimi i ndotësve.

Kur ndotësit e ajrit të përmasave mikroskopike hyjnë në trup, duke depërtuar thellë në sistemin e frymëmarrjes dhe të qarkullimit të gjakut, ato mund të kenë efekte në organe dhe sisteme të ndryshme të organizmit, jo vetëm në sistemin e frymëmarrjes. Ndotësit mikroskopik të ajrit ndikojnë negativisht në pjekurinë e trurit dhe në zhvillimin mendor të fëmijëve.

Ekspozimi afatgjatë ndaj ajrit të ndotur mund të shkaktojë efekte serioze dhe të përhershme shëndetësore, siç janë:

  • Plakja e përshpejtuar e mushkërive;
  • Humbja e kapacitetit të mushkërive dhe rënia e funksionimit të mushkërive;
  • Zhvillimi i sëmundjeve të tilla si astma, bronkiti, emfizema, e ndoshta edhe kanceri i mushkërive.
  • Sëmundja ishemike e zemrës dhe goditjet në tru, që shkaktojnë 80% të vdekjeve të parakohshme për shkak të ndotjes së ajrit.

Jini të vëmendshëm ndaj simptomave, siç janë:

  • kollitja, gëlbazi, shtrëngimi në gjoks, fishkëllima, vështirësia në frymëmarrje
  • shtrëngimi në gjoks, dhimbja e gjoksit (angina pectoris), palpitacionet, gulçimi, lodhje e pazakontë, sëmundje të arterieve koronare, ritme abdominale, dështim kongjestiv i zemrës, goditjet në tru

E fundit dhe gjithmonë e rëndësishme – Vizitoni mjekun tuaj familjar ose klinikën shëndetësore në rast se nuk ndiheni mirë dhe përjetoni efekte negative nga ndotja e ajrit.

Lexoni më shumë

Grupet e ndjeshme ndaj NA-së

Cenueshmëria ekziston për shkak të rrezikut mbi mesatar të efekteve shëndetësore pas ekspozimit ndaj ajrit të ndotur (ndjeshmëria  e shëndetit), apo për shkak të rrezikut mbi mesatar të mos marrjes ose mos vlerësimit të informatave përkatëse (ndjeshmëria  e informacionit).

Politikat e Përfshirjes Gjinore dhe Sociale të projektit të financuar nga KSM për cilësinë e ajrit përcakton dy grupe kryesore të ndjeshme në mesin e popullatës së Kosovës. Ato përfshijnë:

Grupet e ndjeshme (më të ndjeshëm ndaj efekteve shëndetësore të ndotjes së ajrit): fëmijët, gratë shtatzëna, personat e moshuar, personat me probleme shëndetësore ekzistuese (kryesisht sëmundje ekzistuese respiratore dhe kardiovaskulare).

Grupet e ndjeshme (të pafavorizuara) me rrezik të ndjeshmërisë së informacionit: grupet me të ardhura të ulëta që përjetojnë ose rrezikojnë të përjetojnë varfëri, personat me aftësi të kufizuara, gratë, pakicat kombëtare: Serbë, Boshnjakë, Romë, Ashkali dhe Egjiptianë.

Lidhur me ndjeshmëritë shëndetësore, ekziston një dëshmi e fortë që vërteton ndjeshmërinë e grupeve të caktuara të popullsisë që ekspozohen ndaj ndotjes së ajrit:

  • Personat me sëmundje të mushkërive (SPOK, astma, kanceri i mushkërive) ose me sëmundje të zemrës (sulmi në zemër, dështimi kongjestiv i zemrës, sëmundjet e arterieve koronare) dhe me diabet janë më të ndjeshëm ndaj ndotjes së ajrit.
  • Të moshuarit janë në rrezik më të lartë për shkak të dobësimit të zemrës dhe mushkërive dhe rritjes së gjasave për probleme shëndetësore, të tilla si: sulmet në zemër, dështimi i zemrës dhe goditjet në tru, sulmet astmatike dhe kanceri i mushkërive, por edhe demencia dhe diabeti.
  • Fëmijët janë gjithashtu më të ndjeshëm ndaj ndotjes së ajrit sepse kanë sistem respirator më pak të zhvilluar. Për shkak të madhësisë së tyre, fëmijët thithin më shumë ajër për kilogram të peshës së tyre trupore sesa të rriturit. Ekziston një numër në rritje i provave që lidhin ndotjen e ajrit me zhvillimin e trurit dhe rezultatet e të nxënit në mesin e fëmijëve si problemet psikologjike dhe problemet në sjellje në fëmijërinë e vonshme, duke përfshirë simptomat e çrregullimit të pamjaftueshmërisë së vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD), ankthit dhe depresionit; dhe një rënie prej katër pikësh të koeficientit të inteligjencës deri në moshën 5 vjeçare në mesin e një mostre të fëmijëve të ekspozuar ndaj ndotjes toksike të ajrit gjersa ishin në mitër.[13] Për më tepër, ekspozimi ndaj PM5 gjatë vitit të pestë dhe të gjashtë të jetës ndikon në kujtesën në punë, me djemtë që shfaqin ndjeshmëri shumë më të lartë, duke përfshirë rënien e performancës së rrjeteve të konfliktit, zvogëlimin e kujtesës në punë dhe rritjen në rrjetet e vëmendjes së konfliktit.[14]
  • Gratë shtatzëna – ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit gjatë shtatzënisë mund të rrisë rrezikun e dështimit të shtatëzanisë, lindjes së parakohshme dhe peshës së vogël të foshnjes[15]. Lindja e parakohshme është lindja që ndodh para 37 javëve të shtatzënisë.
  • Personat që merren me sporte intenzive ose që punojnë në ambient të hapura marrin frymë më thellë dhe më shpejt, duke bërë që sasi më e madhe e ajrit të ndotur të hyjë në mushkëritë e tyre. Këta persona mund të përjetojnë simptoma si irritimi i syve, hundës ose fytit, kollitja ose vështirësia në frymëmarrje kur nivelet e ndotjes së ajrit janë të larta.
  • Grupet socio-ekonomike me të ardhura të ulëta – janë shumë më të prekur nga ndotja e ajrit sesa qytetarët më të pasur. Arsyet kryesore janë standardi i ulët i ngrohjes, banimit, ndotjes së ambienteve të brendshme dhe arsimimit (familjet e varfra varen më shumë nga djegia e drurit, qymyrit dhe vajgurit për gatim dhe ngrohje).
  • Komunitetet në zona me ndotje më të lartë, siç janë ato që gjenden afër rrugëve të ngarkuara ose zonave industriale janë dukshëm më të ekspozuar ndaj ndotësve të emetuar nga automjetet e llojeve të ndryshme në rrugë.

[13] UNICEF. Rreziku në ajër. Si mund të ndikojë ndotja e ajrit në zhvillimin e trurit të fëmijëve të vegjël në të gjithë botën. 2017.

[14] Projekti BREATH 2011/16; Rivas et al., Asociacioni midis ekspozimit në jetën e hershme ndaj ndotjes së ajrit dhe kujtesa dhe vëmendja në punë. Perspektivat e shëndetit mjedisor. 2019. doi: https://doi.org/10.1289/EHP3169 (qasur më 28 tetor 2020).

[15] UNICEF, Pastrojeni ajrin për shkak të fëmijëve: Ndikimi i ndotjes së ajrit tek fëmijët, tetor 2016. https://www.unicef.org/publications/files/UNICEF_Clear_the_Air_for_Children_30_Oct_2016.pdf (i qasshëm nga 28 tetor 2020).

Lexoni më shumë

Këshillat shëndetësore lidhur me NA

Këshillat shëndetësore përkufizohen si informata mbi shëndetin publik për qeverinë, profesionistët shëndetësor dhe grupet e ndryshme të popullatës në lidhje me efektet shëndetësore të ndotjes së ajrit, si dhe veprimet që këshillohen të ndërmerren për ta mbrojtur shëndetin e njeriut dhe për ta zvogëluar ndotjen e ajrit. Duke pasur parasysh këtë, këshillat shëndetësore mbulojnë katër kategoritë e procesit të ndotjes së ajrit si emetimi, përqendrimi, ekspozimi dhe efektet shëndetësore.

Lexoni më shumë

Këshillat shëndetësore për qeverinë

Përveç hartimit të politikave dhe aplikimit të grupeve të veprimeve të ndryshme për menaxhimin e duhur të cilësisë së ajrit, qeveria është organizata kryesore që ka përgjegjësinë për të informuar publikun mbi cilësinë e ajrit dhe efektet shëndetësore, si dhe për të shpjeguar mënyrën e emetimit të ndotësve të ajrit dhe pasojat e këtyre veprimeve. Mënyra e informimit të publikut duhet të jetë transparente dhe e hapur për përfshirjen e shoqërisë civile, OJQ-ve, mediave dhe publikut.

Tabela 2 përshkruan këshillat për shëndetin publik drejtuar qeverisë së Kosovës (qoftë në nivel nacional ose komunal) të cilat duhet të zbatohen vazhdimisht gjatë gjithë vitit.

Tabela 2 Këshillat shëndetësore drejtuar Qeverisë

Politikat

Përmirësimi i cilësisë së ajrit nuk është humbje ekonomike, përkundrazi mund të shkojë paralelisht me rritjen ekonomike

  • Në hierarkinë e ndërhyrjeve, prioritet është parandalimi, zvogëlimi ose zëvendësimi i aktiviteteve ndotëse për t’i zvogëluar emetimet e ndotësve të ajrit.
  • Veprimet për të zvogëluar përqendrimin e ndotjes së ajrit, pasi kjo të ketë ndodhur, është prioritet i dytë.
  • Shmangia individuale e ekspozimit është prioriteti i tretë. 

Gjersa ndërmerren masat, disa grupe mund të kenë nevojë për mbështetje të veçantë. Disa veprime të bazuara në prova mund të prekin në mënyrë jo proporcionale disa grupe njerëzish. Për shembull, ata njerëz, jetesa e të cilëve varet nga shërbimet e vozitjes por që nuk kanë qasje ose burime për automjete më pak ndotëse, mund të kenë nevojë për mbështetje të veçantë pasi disa nga ndërhyrjet më efektive targetojnë emetimet nga automjetet rrugore. Pa një mbështetje të tillë, veprimi mbi cilësinë e ajrit mund të ketë ndikim negativ në rritjen e pabarazive.

Ka shumë politika që qeveria mund t’i zbatojë në nivelin nacional.

Për çështjen e ndotjes së ajrit duhet të ndahet buxhet i veçantë, si në nivel komunal ashtu edhe në atë qeveritar, pasi që buxheti aktual është i pamjaftueshëm për t’u marrë me ndotjen e ajrit. Shembujt e masave efektive përfshijnë:

  • Ndalimi i djegies së qymyrit të cilësisë së dobët ose drurit me përmbajtje lagështie mbi 30%. Shqiptimi i gjobave për shkeljen e rregullave.
  • Zbatimi i programeve lokale për zvogëlimin e emetimeve nga oxhaqet e ulëta (low-stack), siç janë subvencionet për zëvendësimin e pajisjeve ngrohëse të bazuara në lëndë djegëse të ngurta.
  • Inventari i stufave, kaldajave dhe oxhaqeve para fillimit të programit për zëvendësimin e pajisjeve të ngrohjes me lëndë djegëse të ngurta.
  • Zëvendësimi i sistemeve të ngrohjes bazuar në lëndë djegëse të ngurta me kyçje në sistemin e ngrohjes së qytetit, gaz, ngrohje me energji elektrike, ngrohje me mazut, pompa ngrohjeje.
  • Zgjerimi dhe modernizimi i rrjeteve komunale të ngrohjes dhe rrjeteve të shpërndarjes së gazit për t’i kyçur përdoruesit e rinj.
  • Modernizimi termik i ndërtesave dhe mbështetja e ndërtesave me efiçiencë të energjisë në banesa dhe shërbime publike.
  • Subvencionet për faturat e energjisë së banorëve me të ardhura të ulëta që pësojnë rritje të kostove të ngrohjes pas zëvendësimit të stufave me lëndë djegëse të ngurta.
  • Zvogëlimi i emetimeve nga transporti (ndalimi i importit të makinave të vjetra – të përdorura, taksa mbi naftën, rrugët anësore të qyteteve, përmirësimi i transportit publik, korsitë e biçikletave, etj.).
  • Fushata për edukimin mjedisor dhe ndryshimin e sjelljes së banorëve: njoftime të shërbimit publik në TV ose radio, ngjarje publike, fletëpalosje, postera, fushata për ndryshimin e sjelljes të bazuara në lojëra që targetojnë fëmijët e moshës shkollore.
  • Mbjellja e pemëve dhe bimëve përgjatë rrugëve të qytetit.
  • Kërkesa për vlerësime parashikuese të ndikimit në shëndet të politikave, planeve dhe programeve me potencial për të shkaktuar efekte shëndetësore, përfshirë ato që mund të ndikojnë në cilësinë e ajrit.
  • Vlerësimi i vazhdueshëm i efektivitetit të ndërhyrjeve në shëndetin publik.
  • Informimi më i mirë i publikut.

Emetimet

Fushat kryesore për veprime dhe ndërhyrje të mundshme për të zvogëluar ndikimin e ndotjes së ajrit janë:

  • Ngrohja shtëpiake
  • Automjetet dhe karburantet
  • Planifikimi hapësinor – më shumë sipërfaqe të gjelbra në qytete
  • Industria (energji elektrike, etj.)
  • Bujqësia
  • Promovimi i ndryshimit të sjelljes dhe qasjes në stilin e jetesës së shëndetshme – ecja, përdorimi i biçikletave, ndalimi i pirjes së duhanit brenda restoranteve dhe në rrugë.

Përqendrimi

  • Mirëmbajtja e sistemit të monitorimit të CA-së.
  • Informimi i publikut përmes Portalit të Cilësisë së Ajarit të drejtuar nga IHMK.

Ekspozimi

  • Shmangia e planifikimit dhe ndërtimit të çerdheve, shkollave, këndeve të lojërave, institucioneve të kujdesit para dhe pas lindjes, spitaleve, ambienteve të kujdesit për të moshuarit, etj., në zona shumë të ndotura, duke përdorur outputet e modelimit të cilësisë së ajrit për të ofruar informata për planifikimin e përdorimit të tokës.
  • Informimi dhe këshillimi i publikut.
  • Mirëmbajtja e një sistem unik informues për shëndetin dhe mjedisin (bazë e të dhënave), i cili do të përfshijë të dhënat themelore për mjedisin, shëndetin (p.sh. kushtet, pranimet spitalore) dhe vdekshmërinë, duke mundësuar vlerësimin e rreziqeve shëndetësore për popullatën nga ndotja e ajrit.

Efektet

  • Edukimi, përgatitja dhe mbështetja e sistemit shëndetësor.
  • Mbështetja e hulumtimeve mbi Vlerësimin e Ndikimit në Shëndet.

Informimi dhe këshillimi i publikut në lidhje me rreziqet e vlerësuara shëndetësore dhe masat që duhet të merren për t’i parandaluar ose minimizuar ato.

Lexoni më shumë

Këshillat shëndetësore për popullatën e përgjithshme

Megjithëse popullata e përgjithshme nuk konsiderohet si grup i ndjeshëm, ata do të pësojnë nga efektet shëndetësore që lidhen me ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit kur ekspozimi ndodhë për një kohë të gjatë (shumë vite) ose kur nivelet e ekspozimit janë të larta. Në fund të fundit, edhe popullata e përgjithshme do të pësojë, megjithëse jo aq rëndë sa personat e ndjeshëm.

Këshillat e publikuara për popullatën e përgjithshme mund të jenë një përmbledhje e veprimeve dhe masave për shëndetin dhe ndryshimin e sjelljes (Tabela 3 dhe Shtojca 1).

Tabela 3: Këshillat shëndetësore për popullatën e përgjithshme

Emetimet (NS)

  • Transporti publik të përdoret më shpesh, ndërsa veturat private vetëm kur është e nevojshme.
  • Preferohet udhëtimi miqësor ndaj ambientit. Automjetet miqësore ndaj ambientit janë mjete motorike rrugore që shkaktojnë më pak ndikime të dëmshme në mjedis sesa mjetet e krahasueshme konvencionale motorrike me djegie të brendshme, që funksionojnë me benzinë ose naftë, ose ato që shfrytëzojnë lëndë djegëse alternative.
  • Temperaturat më të ulëta në shtëpi dhe zvogëlimi i përdorimit të lëndëve të ngurta të djegies për gatim, në mënyrë që të zvogëlohen emetimet.
  • Mbeturinat nuk duhet djegur, por të hudhen përmes shërbimeve të rregulluara për grumbullimin e mbeturinave ose në vendet e caktuara të hudhjes.
  • Mundohuni të mos pini duhan në ambiente të brendshme, veçanërisht afër fëmijëve, grave shtatzëna dhe personave të moshuar, për të shmangur efektet shëndetësore nga ndotja në ambiente të brendshme.

Përqendrimi (NS)

  • Jini të vetëdijshëm se ku dhe kur ICA-ja është e dobët, shumë e dobët ose jashtëzakonisht e dobët.

Ekspozimi (NS)

  • Menaxhoni cilësinë e ajrit në ambiente të brendshme*
  • Kontrolloni ICA-në ditore në zonën tuaj në: niph-rks.org dhe https://airqualitykosova.rks-gov.net/en/ ose vizitoni Facebook/IKSHPK.
  • Shmangni aktivitetet intensive në hapësirat me nivel të lartë të ndotjes së ajrit – gjeni zgjidhje alternative, pasi aktiviteti fizik është i rëndësishëm për shëndetin tuaj.
  • Shmangni rrugët dhe autostradat e ngarkuara ku nivelet e PM mund të jenë më të larta për shkak të emetimeve nga makinat dhe kamionët.
  • Qëndroni në shtëpi kur përqendrimi i PM-së jashtë është shumë i dobët ose jashtëzakonisht i dobët.
  • Kaloni kohë në ambiente të hapura kur dhe ku cilësia e ajrit është e mirë.

Efektet (KSH)

  • Përmirësoni dhe mirëmbani shëndet të mirë.
  • Forcojeni sistemin imunitar.
  • Mbani dietë të shëndetshme duke konsumuar shumë fruta dhe perime.
  • Konsultohuni me mjekun ose IKSHP-në për përdorimin e suplementeve (Vitamina E, C, A dhe B).
  • Vizitoni mjekun tuaj familjar ose klinikën shëndetësore nëse nuk ndiheni mirë ose përjetoni ndonjë efekt negativ nga ndotja e ajrit.

* Mos lejoni njerëzit të pinë duhan në ambiente të brendshme; shmangni përdorimin e çdo gjëje që digjet, si p.sh. qymyri, stufa me dru, vajguri, etj.; përdorni stufa me lëndë djegëse efiçiente dhe nxirrni tymin jashtë nëse e keni patjetër të përdorni lëndë djegëse të ngurta për ngrohje ose gatim; mbani të gjitha zonat të pastra dhe të thata. Pastroni mykun dhe largoni lagështinë e tepërt. Gjithmonë ajrosni hapësirat kur përdorni produkte që mund të lëshojnë ndotës në ajër; nëse produktet duhet të ruhen pas përdorimit, sigurohuni që t’i mbyllni ato mirë. Kontrolloni rregullisht pajisjet me lëndë djegëse për rrjedhje të mundshme dhe riparoni ato kur është e nevojshme; shqyrtoni mundësinë e instalimit të një alarmi për monoksid karboni.[16]

Maskat ose respiratorët kundër grimcave mund të ndihmojnë në rrethana të veçanta nëse duhet të qëndroni në ambiente të hapura gjersa nivelet e ndotjes janë të larta, edhe pse provat shkencore në lidhje me efektivitetin e tyre kundër ndotjes së ajrit janë të kufizuara. Maskat duhet të jenë të një lloji të veçantë dhe kërkojnë vendosje të veçantë. Maskat duhet të jenë njëpërdorimshe, të ndërrohen rregullisht dhe të jenë të paktën të kategorisë N-95, që do të thotë që maska është e përshtatshme për filtrimin e 95% të grimcave PM2.5. Maskat duhet të mbulojnë mjaft mirë gojën dhe hundën e përdoruesit. Kjo mund të jetë veçanërisht e vështirë për fëmijët. Maskat “e rehatshme” ose “kundër pluhurit” prej letre ose pëlhure ofrojnë pak mbrojtje nga grimcat e imëta[17].

[16] EPA, Kujdesuni për ajrin tuaj: Udhëzues për cilësinë e ajrit të brendshëm, shtator, 2008.  (PDF). https://www.epa.gov/sites/production/files/2014-08/documents/careforyourair.pdf (i qasshëm nga 28 tetor 2020).

[17]  OBSH Rajoni Ndërkombëtar i Azisë Jug-Lindore, Temat sa i përket shëndetit, Ndotja e Ajrit, 11 nëntor 2019. https://www.who.int/docs/default-source/searo/wsh-och-searo/preventing-the-harmful-effects-of-air-pollution2019.pdf?sfvrsn=79c97dcd_2 (i qasshëm nga 28 tetor 2020).

Lexoni më shumë

Këshillat shëndetësore për fëmijët dhe gratë shtatzëna

Fëmijët ka të ngjarë të ballafaqohen me një rrezik më të lartë për disa arsye. Mushkëritë e tyre janë akoma në zhvillim, ata kalojnë më shumë kohë duke bërë aktivitete në nivele të larta, dhe kanë më shumë gjasa të sëmuren nga astma ose sëmundjet akute respiratore, të cilat mund të përkeqësohen kur nivelet e PM janë të larta.

Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit gjatë shtatzënisë mund të rrisë rrezikun e dështimit të shtatëzanisë, lindjes së parakohshme dhe peshës së vogël të foshnjes. Lindja e parakohshme është lindja që ndodh para 37 javëve të shtatzënisë.

Tabela 4: Këshillat shëndetësore për fëmijët dhe gratë shtatzëna 

Emetimet

  • Shikoni këshillat për popullatën e përgjithshme

Përqendrimi

  • Shikoni këshillat për popullatën e përgjithshme

Ekspozimi

  • Zgjidhni rrugën për të shkuar dhe kthyer nga shkolla që t’i shmangni nivelet e larta të ndotjes së ajrit.
  • Kërkojuni prindërve që t’ju mbrojnë nga ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit.
  • Nëse duhet të dilni jashtë kur ICA është e dobët ose më keq, rekomandohet që të përdoret një maskë e përshtatshme nëse keni në dispozicion.
  • Shikoni këshillat për popullatën e përgjithshme

Efektet

  • Shikoni këshillat për popullatën e përgjithshme
Lexoni më shumë

Këshillat shëndetësore për të moshuarit

Me plakjen e njerëzve, trupat e tyre janë më pak të aftë që të rikuperohen nga efektet e ndotjes së ajrit. Të moshuarit supozohet të kenë sistem mbojtës më të ulët. Ata duhet të shmangin ekspozimin ndaj ajrit të ndotur dhe të sigurojnë kushte optimale shëndetësore (ushqim dhe suplemente, vaksinime, etj.). Të moshuarit janë në rrezik të shtuar nga ndotja e ajrit, ndoshta sepse mund të kenë sëmundje të pa diagnostikuara të zemrës, mushkërive ose diabetit. Shumë studime tregojnë se kur nivelet e grimcave janë të larta, të moshuarit kanë më shumë gjasa të hospitalizohen. Është më mirë që ata të qëndrojnë larg emetimeve dhe të qëndrojnë në shtëpi në ajër më të pastër (Tabela 5).

Tabela 5: Këshillat shëndetësore për të moshuarit

Emetimet

  • Shikoni këshillat për popullatën e përgjithshme

Përqendrimi

  • Shikoni këshillat për popullatën e përgjithshme

Ekspozimi

  • Shikoni këshillat për popullatën e përgjithshme
  • Nëse duhet të dilni kur ICA është e dobët, rekomandohet që të përdoret një maskë e përshtatshme.

Efektet

  • Shikoni këshillat për popullatën e përgjithshme
Lexoni më shumë

Këshillat shëndetësore për personat me sëmundje kronike

Ndotja e ajrit mund të përkeqësojë sëmundjet e zemrës dhe mund të shkaktojë goditje në tru, sëmundje të mushkërive, siç është sëmundja pulmonare obstruktive kronike ose astma, dhe diabeti. Kjo çon në rritjen e përdorimit të ilaçeve, më shumë vizita tek ofruesit e kujdesit shëndetësor, pranime në emergjencë dhe spitale, e madje edhe vdekje.

Njerëzit me gjendje të komprometuar shëndetësore do preken më shumë nga ekspozimi ndaj ajrit të ndotur sesa popullata e përgjithshme dhe duhet ta mbrojnë veten dhe të ndihmohen në këtë aspekt përmes ushqimit dhe suplementeve të duhur, si dhe vaksinimi i mundshëm kundër gripit.

Studimet mjekësore tregojnë se ndotja e ajrit mund të shkaktojë sulme në zemër, goditje në tru dhe aritmi të zemrës – posaçërisht tek njerëzit që tashmë janë të rrezikuar prej këtyre sëmundjeve. Po ashtu, për njerëzit me sëmundje të zemrës, ndotja e ajrit mund të zvogëlojë edhe më shumë aftësinë e zemrës për të pompuar gjakun si duhet. Grimcat shumë të vogla janë prej ndotësve që shkaktojnë më së shumti shqetësime sa i përket shkaktimit të këtyre efekteve.

Kur në ajër ka ndotje të ajrit nga ozoni dhe materiet grimcore, të rriturit dhe fëmijët me astmë kanë më shumë gjasa të kenë simptoma të shëndetit më të dobët. Dy ndotësit kryesorë të ajrit që mund të ndikojnë në astmë janë ndotja nga grimcat (që gjendet në mjegull, tym dhe pluhur) dhe ozoni (që gjendet në smog). Ndotja e ajrit mund ta vështirësojë frymëmarrjen. Mund të shkaktojë edhe simptoma të tjera, si kollitje, gulçime, shqetësim në gjoks dhe ndjesi djegieje në mushkëri. Edhe personat me diabet mund të jenë në rrezik të shtuar, ndoshta sepse kanë më shumë gjasa të kenë sëmundje kardiovaskulare (Tabela 6).

Tabela 6: Këshillat shëndetësore për personat me sëmundje kronike 

Emetimet

  • Shikoni këshillat për popullatën e përgjithshme

Përqendrimi

  • Shikoni këshillat për popullatën e përgjithshme

Ekspozimi

  • Shikoni këshillat për popullatën e përgjithshme
  • Kontrolloni ICA-së në baza ditore për zonën tuaj në: ihmk-rks-gov.net/ajri dhe https://airqualitykosova.rks-gov.net/en/ ose vizito Facebook/ @ihmk.rks .
  • Duhet të dini se kur dhe ku mund të jetë ndotja nga materiet grimcore me e dëmshme dhe planifikoni aktivitetet tuaja në përputhje me rrethanat.
  • Shmangni aktivitetet (intensive) në hapësira me nivele të larta të ndotjes së ajrit – gjeni zgjidhje alternative (aktiviteti fizik është i rëndësishëm për shëndetin tuaj).
  • Zgjidhni aktivitete më të lehta në ambiente të hapura (si ecja në vend të vrapimit) në mënyrë që të mos merrni frymë aq thellë.
  • Qëndroni në shtëpi kur ICA është e dobët, shumë e dobët ose jashtëzakonisht e dobët.
  • Kaloni kohë në ambiente të hapura kur ICA është e mirë.
  • Nëse duhet të dilni kur ICA-së është e dobët, rekomandohet që të përdoren maska të përshtatshme.

Efektet

  • Shikoni këshillat për popullatën e përgjithshme.
  • Duhet të dini sa të ndjeshëm jeni ndaj ndotjes së ajrit – këshillohuni me mjekun tuaj.
  • Duhet t’i dini shenjat paralajmëruese të astmës, sulmit në zemër dhe goditjet në tru – konsultohuni me ofruesin e kujdesit shëndetësor.
  • Njerëzit që vuajnë nga astma mund të kuptojnë se duhet të përdorin më shpesh inhalatorin e tyre.
  • Kur zhvilloni aktivitete ne ambient të hapur, mbani afër medikamemtet për reagim të shpejtë/inhalatorin.
Lexoni më shumë

Këshillat shëndetësore për profesionistët shëndetësor

Profesionistët e shëndetit publik dhe të kujdesit shëndetësor kanë rol të rëndësishëm në mbështetjen e komuniteteve, familjeve dhe individëve që të veprojnë kundër ndikimeve shëndetësore të krijuara nga cilësia e dobët e ajrit. Shumë prej personave që vuajnë nga ndotja e ajrit kanë probleme ekzistuese shëndetësore, të cilat mund të përkeqësohen për shkak të cilësisë së dobët të ajrit. Prandaj, është e rëndësishme që profesionistët e kujdesit shëndetësor të jenë të aftësuar që të ofrojnë mbështetje dhe këshilla për të zvogëluar ekspozimin dhe të sigurojnë masa që duhet të merren për të zvogëluar rreziqet e shmangshme (Tabela 7). Ekipet e tjera të shëndetit publik gjithashtu mund të ndikojnë tek popullata e përgjithshme, duke siguruar qasje në tërë sistemin. Kjo është thelbësore për të zvogëluar ndikimet shëndetësore që shoqërohen me ndotjen e ajrit, ashtu që të ndihmohen njerëzit të jetojnë më gjatë dhe të kenë jetë të shëndetshme.

Një mënyrë e thjeshtë që mjekët dhe profesionistët e tjerë shëndetësor mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut shëndetësor nga ekspozimi, është përmes edukimit të pacientit. Hapat e thjeshtë të këshillimit të pacientëve për të kontrolluar cilësinë e ajrit çdo ditë dhe informimi i tyre mbi mënyrat për të minimizuar ekspozimin ndaj ndotjes së materieve grimcore, mund të ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut të përgjithshëm të efekteve shëndetësore të lidhura me ndotjen nga materiet grimcore, veçanërisht tek personat me sëmundje të zemrës dhe mushkërive. Duhet pasur parasysh që edukimi i pacientëve të bëhet në përputhje me rekomandimet e ekspertëve të shëndetit publik dhe atyre shëndetësor (këshillohuni me IKSHP).

Tabela 7: Këshillat shëndetësore për profesionistët shëndetësor

Ekspozimi

  • Edukimi i pacientit – njoftoni pacientët kur është më mirë t’i ndërprejnë aktivitetet në ambiente të hapura për të zvogëluar ekspozimin e tyra ndaj ndotjes.

Efektet

Përmirësoni njohuritë tuaja që të jepni këshilla relevante mjekësore:

  • Shpjegoni se çka janë ndotësit e ajrit dhe cila është madhësia e grimcave, gjithashtu cilat janë shqetësimet më të mëdha shëndetësore, si dhe ku dhe kur ato paraqesin probleme.
  • Identifikoni se si ndikon ekspozimi ndaj ndotjes prej grimcave në sistemin kardiovaskular dhe respirator.
  • Identifikoni se si ndikon ekspozimi ndaj ndotjes me anë të grimcave në popullatën e përgjithshme.
  • Njihni popullatën (pacientët) në rrezik nga ndotja e ajrit (fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit, fëmijët dhe të rriturit me astmë, SPOK, sëmundje të zemrës dhe goditjet në tru, diabeti).
  • Shpjegoni qëllimin dhe përdorimin e ICA-së për këshillimin e pacientëve se si të mbrojnë shëndetin e tyre.
  • Diskutoni metodat për të zvogëluar ekspozimin gjatë nivelit të dobët, shumë të dobët dhe jashtëzakonisht të dobët të ICA-së, dhe këshilloni se çfarë duhet të bëjnë ata, si të reagojnë dhe të qëndrojnë të qetë.

Adresoni pyetjet tipike të pacientit dhe skenarët klinikë në lidhje me ekspozimin ndaj ndotjes prej materieve grimcore.

Lexoni më shumë

Puna e IKSHP-së rreth NA dhe Vlerësimi i Ndikimit në Shëndet në Kosovë

Ndotja e ajrit në Kosovë, dhe sidomos në  Prishtinë, përbënë një brengë për shëndetin publik, në veçanti për grupet e cenueshme. IKSHP është përgjegjës për informimin dhe këshillimin e publikut të gjerë, dhe atyre që janë përgjegjës, rreth çështjeve shëndetësore, e në veçanti se kush dhe si të mbrohen nga efektet e dëmshme shëndetësore që lidhen me ekspozimin ndaj ndotësve të ajrit.

Raporti i fundit nga Banka Botërore për Kosovën vlerëson se në Kosovë, rreth 760 njerëz vdesin para kohe çdo vit për shkak të ekspozimit ndaj ajrit të ndotur mjedisor. Nga numri i përgjithshëm i vdekjeve që i atribuohen ndotjes së ajrit, 90% janë nga SIZ dhe goditjet në tru. Rreth 53% e SIZ dhe 63% e goditjeve në tru ndodhin tek njerëzit e moshës produktive përpara se të mbushin moshën 70 vjeç. Grup moshat e popullsisë midis 50 dhe 69 vjeç përbëjnë përqindjen  më të madhe (rreth 45 %) të barrës totale shëndetësore që lidhet me ekspozimin ndaj NAM-së, pasuar  nga njerëzit e moshës mbi 70 vjeç[18].

Rezultatet e studimit të kryer nga shkencëtarët e Kosovës në periudhën 2010-2012, treguan një lidhje pozitive të qëndrueshme midis ndotjes së ajrit nga grimcate ngurta dhe pranimeve në spital për shkak të sëmundjeve respiratore dhe sëmundjeve kardiovaskulare në të gjitha moshat dhe diagnozat në Kosovë. Rreziku relativ për hospitalizim tek të dyja gjinitë ka qenë  8.2 herë më i lartë pas moshës 55 vjeç. Prej numrit të përgjithshëm të rasteve, 54.6% e tyre u diagnostikuan me SIZ. Incidenca e pranimeve spitalore për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare ka qenë më e lartë tek meshkujt sesa tek femrat. Ngjashëm, pranimet spitalore në Klinikën Pediatrike të Prishtinës l[19]  gjatë episodeve të ndotjes së ajrit është rritur për pacientët e vegjël.

[18] Banka Botërore (2019) Ballkani Perëndimor – Menaxhimi i Cilësisë së Ajrit në Kosovë.

[19] Dervishaj A. Efektet akute të ndotjes së ajrit përmes  materieve grimcore dhe pranimet spitalore nga sëmundjet respiratore dhe ato kardiovaskular në Prishtinë – Teza e doktoratës – Universiteti “SsCyrilandMethodius” Shkup, korrik, 2015

Lexoni më shumë

Shkurtesat

  • AEM- Agjencia Evropiane e Mjedisit
  • AJBN- Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar
  • AMMK- Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës
  • ATMOTERM- Kompania konsulente pergjegjëse për zbatimin e projektit
  • CA- Cilësia e Ajrit
  • CAMS- Shërbimi i Monitorimit të Atmosferës - Copernicus (modele evropiane të cilësisë së ajrit)
  • CO- Monoksidi i karbonit
  • CO2- Dioksidi i karbonit
  • EMSH- Ekspert i Mjedisit dhe Shëndetit
  • FMK- Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës
  • ICA- Indeksi i Cilësisë së Ajrit
  • IHMK- Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës
  • IKSHP- Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike
  • KNS- Kontaktimi dhe ndryshimi i sjelljes
  • KSH- Këshillat shëndetësore
  • MEA- Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit
  • MHPM- Modeli i Hulumtimit dhe Parashikimit të Motit (modeli i prognozës meteorologjike)
  • NA- Ndotja e Ajrit
  • NAM- Ndotja e ajrit të mjedisit
  • NIRAS- Kompania konsulente përgjegjëse për zbatimin e projektit
  • BOAJM- Bashkëdyzimet Organike të Avullueshme jo Metan
  • BOA- Komponimet organike tëavullueshme
  • NO2- Dioksidi i azotit
  • NOx- Oksidet e azotit
  • NS- Ndryshimi i sjelljes
  • O3- Ozoni
  • OBSH- Organizata Botërore e Shëndetësisë
  • OJQ- Organizatat joqeveritare
  • OShC- Organizatat e shoqërisë civile
  • PCA- Portali i Cilësisë së Ajrit
  • PGJS- Përfshirja Gjinore dhe Sociale
  • PKIN- Parandalimi dhe kontrolli i integruar i ndotjes
  • PM- Materiet grimcore
  • SIZ- Semundja ishemike e zemrës
  • SO2- Dioksidi i sulfurit
  • SPOK- Semundja Pulmonare Obstruktive Kronike

Cilësia e mirë e ajrit është kërkesë për ruajtjen e
ekuilibrit të shëndoshë të jetës në tokë për
njerëzit, bimët, kafshët dhe burimet natyrore.

ICA dhe Këshillat Shëndetësore – Tabela përmbledhëse

Tabela përmbledhëse e Këshillave Shëndetësore për popullatën e përgjithshme dhe grupet e ndjeshme, e lidhur me informacionet e Indeksit të Cilësisë së Ajrit*

Indeksi i Kualitetit të Ajrit Popullsia e përgjithshme Popullsitë e ndjeshme**

Mirë

 

Cilësia e ajrit është e mirë. Shijoni aktivitetet tuaja të zakonshme në natyrë.

 

Cilësia e ajrit është e mirë. Shijoni aktivitetet tuaja të zakonshme në natyrë.
Mjaftueshëm

Shijoni aktivitetet tuaja të zakonshme në natyrë. Shijoni aktivitetet tuaja të zakonshme në natyrë.
Mesatar

Nuk ka nevojë të modifikoni aktivitetet tuaja të zakonshme në natyrë, përveç nëse përjetoni simptoma të tilla si kollitja dhe ngacmimi i fytit Qëndroni në shtëpi nëse nuk keni nevojë të dilni jashtë. Të rriturit dhe fëmijët me probleme të mushkërive dhe të rriturit me probleme të zemrës, të cilët përjetojnë simptoma duhet të marrin në konsideratë zvogëlimin e aktivitetit intenziv fizik, veçanërisht në ambient të jashtëm. Nëse duhet të dilni, mbani maska me efikasitet të dëshmuar*. Forconi sistemin imunitar. Konsumoni ushqim të shëndetshëm me shumë fruta dhe perime. Konsultohuni me mjekun tuaj. Vizitoni mjekun tuaj të familjes ose klinikën shëndetësore nëse nuk ndiheni mirë ose përjetoni ndonjë efekt negativ nga ndotja e ajrit.
Dobët

Kushdo që përjeton ngacmim si iritim i syve, kollë ose dhimbje fyti duhet të konsiderojë zvogëlimin e aktivitetit, veçanërisht jashtë. Forconi sistemin imunitar. Konsumoni ushqim të shëndetshëm me shumë fruta dhe perime. Vizitoni mjekun tuaj familjarë ose klinikën shëndetësore nëse nuk ndiheni mirë dhe keni efekte anësore nga ndotja e ajrit. Qëndroni në shtëpi nëse nuk keni nevojë të dilni jashtë. Të rriturit dhe fëmijët me probleme të mushkërive dhe të rriturit me probleme të zemrës, duhet të zvogëlojnë aktivitetin intenziv fizik, veçanërisht jashtë, dhe veçanërisht nëse përjetojnë simptoma. Gratë shtatzëna duhet të qëndrojnë brenda. Njerëzit me astmë mund të zbulojnë se kanë nevojë të përdorin inhaluesin e tyre më shpesh. Njerëzit e moshuar gjithashtu duhet të zvogëlojnë sforcimet fizike. Nëse duhet të dilni, vendosni maska me efikasitet të dëshmuar*. Forconi sistemin imunitar. Konsumoni ushqim të shëndetshëm me shumë fruta dhe perime. Konsultohuni me mjekun tuaj. Vizitoni mjekun tuaj familjar ose klinikën shëndetësore nëse nuk ndiheni mirë ose nëse përjetoni ndonjë efekt negativ nga ndotja e ajrit.
Shumë dobët

Qëndroni në shtëpi ose reduktoni sforcimet fizike, veçanërisht jashtë, sidomos nëse keni simptoma të tilla si kollë ose dhimbje fyti. Forconi sistemin imunitar. Konsumoni ushqim të shëndetshëm me shumë fruta dhe perime. Vizitoni mjekun tuaj familjar ose klinikën shëndetësore nëse nuk ndiheni mirë dhe keni efekte anësore nga ndotja e ajrit.

 

Qëndroni në shtëpi nëse nuk e keni të nevojshme të dilni jashtë. Të rriturit dhe fëmijët me probleme të mushkërive, të rriturit me probleme të zemrës dhe njerëzit e moshuar, duhet të shmangin aktivitetin intenziv fizik. Gratë shtatzëna duhet të qëndrojnë brenda. Personat me astmë mund të kenë nevojë të përdorin inhaluesin e tyre më shpesh. Nëse duhet të dilni, vendosni maska me efikasitet të dëshmuar*. Forconi sistemin imunitar. Konsumoniushqim të shëndetshëm me shumë fruta dhe perime. Konsultohuni me mjekun tuaj. Vizitoni mjekun tuaj familjar ose klinikën shëndetësore nëse nuk ndiheni mirë ose nëse përjetoni ndonjë efekt negativ nga ndotja e ajrit.
Jashtëzakonisht dobët
Qëndroni në shtëpi ose reduktoni sforcimet fizike, veçanërisht jashtë, sidomos nëse keni simptoma të tilla si kollë ose dhimbje fyti. Forconi sistemin imunitar. Konsumoni ushqim të shëndetshëm me shumë fruta dhe perime. Vizitoni mjekun tuaj familjar ose klinikën shëndetësore nëse nuk ndiheni mirë dhe keni efekte anësore nga ndotja e ajrit. Qëndroni në shtëpi nëse nuk e keni të nevojshme të dilni jashtë. Të rriturit dhe fëmijët me probleme të mushkërive, të rriturit me probleme të zemrës dhe njerëzit e moshuar, duhet të shmangin aktivitetin e rëndë fizik. Gratë shtatzëna duhet të qëndrojnë në shtëpi. Personat me astmë mund të kenë nevojë të përdorin inhaluesin e tyre më shpesh. Nëse duhet të dilni, vendosni maska me efikasitet të dëshmuar*. Forconi sistemin imunitar. Konsumoni ushqim të shëndetshëm me shumë fruta dhe perime Konsultohuni me mjekun tuaj. Vizitoni mjekun tuaj familjar ose klinikën shëndetësore nëse nuk ndiheni mirë ose nëse përjetoni ndonjë efekt negativ nga ndotja e ajrit. .

 

* Për më shumë informacione, vizitoni Këshillat Shëndetësore (https://www.niph.org)

** Të rriturit dhe fëmijët me probleme respiratore, të rriturit me sëmundje të zemrës, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe grupet tjera të ndjeshme (shih detajet në Këshillat Shëndetësore: ajri.niph-rks.org ose facebook/IKSHP.

*** Maskat ose respiratorët kundër grimcave mund të ndihmojnë në rrethana të caktuara, nëse duhet të qëndroni në ambient të hapur gjersa nivelet e ndotjes janë të larta, edhe pse provat shkencore janë të kufizuara në efektivitetin e tyre kundër ndotjes së ajrit. Maskat duhet të jenë të një lloji të veçantë dhe kërkojnë vendosje të veçantë. Maskat duhet të jenë njëpërdorimshme, të ndërrohen rregullisht dhe të jenë të paktën të kategorisë N-95, që do të thotë se maska është e përshtatshme për filtrimin e 95% të materieve grimcore PM2.5.

Publikimet

Video e animuar-1

Posteri

Fletë informacioni për gratë shtatzëna

Fletë informacioni për njerëzit me sëmundje kronike dhe të moshuarit

Fletë informacioni për fëmijë

broshurë

Kërkoni për
informacione!

Kontrolloni cilësinë e ajrit ditor në
airqualitykosova.rks-gov.net
ose shkarkoni falas
aplikacionin për smartphone